Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ditë më parë kishte zbuluar detaje nga negociatat me kreun e LVV’së, Albin Kurtin, sa i përket kandidatit të mundshëm për president,
Abdixhiku kishte thënë se Kurti kishte kërkuar një president “që takohet me Shoqatën e Zjarrfikësve”.
“Përgjigja ishte që na duhet një president, që s’duhet ta them por do ta them, që na duhet një president që merret me Shoqatën e Zjarrfikësve”, ka deklaruar Abdixhiku më 21 prill në rtv Dukagjini, duke treguar kërkesën e Kurtit se çfarë presidenti i duhet Kosovës.
Ish-presidentja, Vjosa Osmani, në një video të publikuar sot për takimet që po zhvillon me qytetarë, duket se i është përgjigjur Kurtit.
Osmani ka thënë se edhe sa ka qenë presidente është takuar me shumë qytetarë, grupe të ndryshme, institucione të rëndësishme, duke e vënë theksin tek Shoqata e Zjarrfikësve.
“Vizita të shumta në fshatra, lagje të ndryshme, shkolla, e spitale, institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë, dhe po, edhe në Shoqatën e Zjarrfikësve”, thotë Osmani.

