Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shkruar për nominimin e Agim Veliut për deputet nga dega e LDK-së në Podujevë.
Për këtë nominim, Abdixhikut tha se është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë dhe një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh.
Në këtë mënyrë ai konfirmoi kandidimin e Veliut për deputet në listën e LDK-së.
“Falënderoj Degën e Podujevës për unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të madh bashkimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nominimi nga dega i ish-kryetarit të saj, Agim Veliut, është dëgjim i vullnetit të anëtarësisë dhe një hap i mbarë në ndërtimin e bashkimit të madh për të cilin jemi angazhuar të gjithë. LDK-ja gjithmonë ka ditur të bëhet më e fortë atëherë kur ka ditur të bëhet bashkë. Dhe ky është mesazhi më i mirë që mund t’u japim sot qytetarëve tanë; se mbi çdo dallim, mbi çdo pakënaqësi e mbi çdo periudhë të kaluar, qëndron shtëpia jonë e përbashkët politike, Lidhja Demokratike; dhe përgjegjësia jonë ndaj Republikës”, ka thënë Abdixhiku.

