Partia e Drejtësisë njofton se ka bërë marrëveshje për të garuar në listën e LDK’së

by Nexhat

Partia e Drejtësisë në krye me Ferid Aganin ka njoftuar për një marrëveshje të arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të garuar në listën e saj për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Pas zhvillimeve të fundit politike dhe marrëveshjes së arritur për bashkëpunim në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, vlerësojmë se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit politik, përgjegjësisë shtetërore dhe rikthimit të besimit qytetar në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha PD.

banner

Kjo parti tha se ky nuk është vetëm një bashkim elektoral, por “një angazhim për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi politik, dialogu institucional dhe mobilizimi të potencialeve më të mira profesionale e kombëtare në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit”.

“Në këtë frymë, konsiderojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dëshmuar gatishmëri për reflektim, hapje dhe bashkim të energjive shtetformuese të vendit, duke konfirmuar kapacitetin e saj për ndryshim dhe për marrjen e përgjegjësive të mëdha shtetërore në periudhën që kemi përpara. Po ashtu, Partia e Drejtësisë ka vendosur që në këto zgjedhje të mbështesë këto procese pozitive dhe të japë kontributin e saj maksimal në funksion të suksesit të përbashkët politik dhe shtetëror.

PD tha se Kosova ka nevojë për “më shumë bashkëpunim, maturi politike, stabilitet institucional dhe vizion të qartë zhvillimor”.

“Qytetarët presin zgjidhje konkrete, përgjegjësi dhe përkushtim serioz ndaj interesit publik. Në këtë rrugëtim, do të angazhohemi me përkushtim të plotë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy