Lajmet e rreme, rritja e numrit të identiteteve apo profileve false dhe propaganda janë bërë shqetësim për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
Prania e tyre, është rritur dukshëm kohëve të fundit, pasi vendi pritet të mbajë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të caktuara për 7 qershor.
Ende pa nisur zyrtarisht fushata parazgjedhore, janë shtuar sulmet në rrjete sociale, duke montuar e shpërndarë materiale me përmbajtje të rreme, që si qëllim kanë propagandën, dezinformatat, intimidimin e kundërshtarëve politikë, si dhe ndikimin në masa.
Kësaj fushate po i prinë partia në pushtet, me një numër të madh të profileve false që sulmojnë në forma të ndryshme kundërshtarët politikë, duke u “ndihmuar” edhe nga Inteligjenca Artificiale.
Eksperti i rrjeteve sociale, Valon Kerolli, ka shpjeguar për Klankosova.tv se si bëhet krijimi i profileve false.
“Profilet fake(false) sot krijohen shumë lehtë. Mjafton një email ose numër telefoni dhe brenda pak minutash mund të hapen disa llogari në rrjete sociale. Shpesh përdoren foto të marra nga interneti, identitete të rreme ose edhe profile të vjedhura (hackuara). Në raste më të organizuara, këto profile krijohen në masë dhe menaxhohen si rrjete të koordinuara, që njihen si “bot farms”, ose në shqip “ferma të botave””, deklaroi Kerolli.
Kerolli thotë se qëlllimi këtyre profileve është frikësimi i kundërshtarëve politikë.
“Qëllimi i tyre zakonisht është ndikimi. Përdoren për sulme apo frikësim të kundërshtarëve politik, përhapje të dezinformatave, manipulim të debatit publik dhe krijim të një përceptimi të rremë, sikur “shumica” po mendon një mënyrë të caktuar”, u shpreh ai.
Ai shtoi se rreziku më i madh është tek ndikimi në opinion.
“Kur një qytetar sheh dhjetëra apo qindra komente e postime me të njëjtin qëndrim, krijohet një iluzion i mbështetjës së gjere. Kjo ndikon psikologjikisht dhe mund të deformojë mënyren si njerëzit e perceptojnë realitetin. Po ashtu, niveli i edukimit dhe njohurive për internetin dhe rrjetet sociale tek një pjesë e madhe e përdoruesve në Kosovë është ende shumë i ulët, dhe kjo e rrit ndjeshëm rrezikun që këto manipulime të funksionojnë”, tha eksperti në një intervistë për Klankosova.tv.
Sipas tij, nëse krahasohet numri i popullsisë, në Kosovë ka numër më të lartë të profileve false krahasuar me vendet e rajonit.
“Sa i përket numrit, është shumë e vështirë të jepet një shifër e saktë për Kosovën, por në nivel global dihet se një pjesë e konsiderueshme e llogarive në rrjetet sociale janë false ose të automatizuara. Edhe në Kosovë, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, vërehet qartë një rritje e madhe e aktiviteteve të tilla. Nëse kjo lidhet me numrin e popullsisë dhe aktivitetin që shihet në rrjetet sociale, mund të thuhet se përdorimi i profileve false është relativisht i lartë krahasuar me shtetet e tjera”, tha Kerolli.
Valon Kerolli, thotë se profilet e tilla ndikojnë në kontaminimin e ambientit informativ në vend.
“Këto profile ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e një ambienti të kontaminuar informativ. Debati bëhet më i ashpër, më pak racional dhe i mbushur me dezinformata. Në vend të një diskutimi real, krijohet një zhurmë artificiale”, deklaroi ai.
“Në formën për të cilën po flasim, pra vetëm duke komentuar apo postuar për të sulmuar oponentët ose për të krijuar perceptime të rreme, këto profile nuk paraqesin domosdoshmërisht rrezik të drejtpërdrejtë teknik. Megjithatë, në mënyrë indirekte po, sepse shpesh përdoren edhe për mashtrime, phishing apo përhapje të lidhjeve të rrezikshme. Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me profile false, por me një fenomen më të gjerë që prek demokracinë, informacionin, por edhe sigurinë online në vend”, tha në fund Kerolli.

