Lëvizja e studentëve protestues në Serbi, e cila prej më shumë se një viti po organizon protesta kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, ka publikuar një memorandum për Kosovën, ku kundërshton pavarësinë e saj dhe kërkon një zgjidhje të qëndrueshme në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
Dokumenti u prezantua në Kragujevac dhe u publikua në rrjetet sociale zyrtare të studentëve protestues.
Në memorandum thuhet se Kosova konsiderohet “pjesë e patjetërsueshme dhe integrale e Serbisë”, ndërsa theksohet se ruajtja e rendit kushtetues serb në këtë territor shihet si “garanci për mbijetesën e shtetit serb dhe paqen në rajon”.
Studentët e përshkruajnë Kosovën jo vetëm si çështje territoriale, por edhe si pjesë thelbësore të identitetit kombëtar, historik dhe kulturor serb. Në tekst përmenden edhe simbole fetare dhe historike në Prizren, Pejë, Banjska dhe Graçanicë.
Megjithatë, dokumenti nënvizon se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në izolim dhe se Serbia duhet të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Serbisë.
“Qëllimi ynë është një model që garanton paqe, siguri dhe mbrojtje të plotë të të drejtave të njerëzve që jetojnë në këtë territor”, thuhet në memorandum.
Studentët protestues kanë paralajmëruar gjithashtu një protestë të madhe në Beograd më 23 maj. Kërkesa e tyre kryesore mbetet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku pritet të garojnë përmes një liste të përbashkët studentore.

