Studentët shqiptarë në Shkup kanë njoftuar organizimin e një proteste të re, e cila është planifikuar të mbahet më 18 maj 2026, në orën 16:30. Tubimi pritet të zhvillohet në qendër të qytetit dhe të përfshijë një pjesëmarrje të gjerë qytetare.
Kërkesa kryesore e tyre mbetet mundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Megjithatë, organizatorët theksojnë se gjatë periudhës së fundit kauza është zgjeruar, duke përfshirë edhe çështje të tjera që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Protesta është thirrur nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa në thirrjet publike organizatorët kërkojnë mobilizim të studentëve, profesorëve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sipas tyre, pjesëmarrja e gjerë është thelbësore për të adresuar problemet e ngritura.
Në deklaratat e tyre publike, studentët kanë bërë të ditur se nisja e protestës lidhej fillimisht me një çështje teknike në procesin e studimeve, por më vonë janë identifikuar edhe sfida të tjera që prekin trajtimin institucional të gjuhës shqipe.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, ka theksuar se iniciativa tashmë ka marrë karakter më të gjerë shoqëror, duke kërkuar bashkim të të gjitha shtresave. Sipas tij, gjuha shqipe duhet të shërbejë si element bashkimi dhe jo ndarjeje, ndërsa problemet e ngritura prekin një gamë të gjerë qytetarësh.
Tubimi fillon tek Ura e Gurit në Shkup në orën 16:30, pas së cilës është paraparë një marshim nëpër rrugët e qytetit.
Por, këtë protestë nuk ka reagim nga Qeveria e Kosovës, për shkak të aleancës politike që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka me koalicionin VLEN në Maqedoninë e Veriut, por edhe me vetë kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Kurti dhe Hristijan Mickoski u panë shumë të afërt dge miqësor me njëri – tjetrin gjatë kongresit të VLEN-it.
Ndërkohë, mbështetje për protestën kanë shprehur edhe disa përfaqësues politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si dhe figura politike nga Kosova dhe Shqipëria.
Një nga ta ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili përcjellë një mesazh për rëndësinë e gjuhës shqipe në prag të protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për mbrojtjen e saj dhe kryerjen e provimeve në shqip.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meidani ka ndarë disa vargje nga poema “Gjuha Shqype” e Gjergj Fishta, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes gjuhës.
Në Kosovë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe themelore e çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se protesta e paralajmëruar më 18 maj në Shkup, para Urës së Gurit, përfaqëson mbrojtje të dinjitetit, identitetit dhe të drejtave legjitime të studentëve; ai ka shtuar se kjo çështje nuk është vetëm studentore, por një kauzë më e gjerë kombëtare dhe demokratike, duke paralajmëruar se heshtja ndaj diskriminimit nënkupton bashkëfajësi dhe duke bërë thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve pa dallim për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe, ndërsa në fund ka nënvizuar se “Prishtina është me ju”.
Po ashtu, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i cili është shprehur se zëri i studentëve përfaqëson një brez që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin kombëtar. Ai shprehet se do të jetë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij.
Pos tij në mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup ka shprehur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si një betejë për të drejtat themelore dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Për të është e papranueshme që në vitin 2026, në një shtet anëtar të NATO-s, shqiptarët ende të detyrohen të protestojnë për identitetin dhe dinjitetin e tyre.
Pos politikës, reagime ka pasur edhe nga bota e artit. Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke shkruar se gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar dhe një e drejtë e fituar me sakrificë ndër breza. Sipas saj, studentët shqiptarë meritojnë të drejta dhe mundësi të barabarta, ndërsa ka mbështetur protestën kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndërsa, këngëtari Ilir Shaqiri, duke mbështetur studentët, postoi një status për gjuhën shqipe si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar. Përkrah tyre kanë dalë edhe shumë figura të tjera publike nga vendi dhe më gjerë.

