Banorët e lagjes Bair në Mitrovicë po përballen prej kohësh me një problem serioz të ndotjes nga hedhja e mbeturinave dhe materialeve inerte pranë shtëpive të tyre.
Sipas ankesës së një qytetari, zona përpara derës së shtëpisë së tij është shndërruar në një deponi ilegale, duke krijuar erë të rëndë, ndotje të ambientit dhe rrezik për shëndetin e banorëve.
“Për këtë problem janë bërë ankesa dhe kërkesa edhe më herët, por askush nuk ka ndërmarrë masa konkrete dhe situata vetëm sa po përkeqësohet çdo ditë”, thuhet në reagimin e qytetarit.
Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse largimin urgjent të mbeturinave, identifikimin dhe ndëshkimin e personave që hedhin mbeturina, si dhe vendosjen e masave parandaluese dhe mbikëqyrjes për të mos lejuar përsëritjen e këtij fenomeni.
Banorët shprehen të revoltuar edhe me mungesën e reagimit institucional. Sipas tyre, janë drejtuar edhe në komunë për të kërkuar takim me kryetarin Faton Peci, por pretendojnë se nuk kanë marrë përgjigje dhe se telefonatat nuk u janë hapur nga stafi administrativ.
“Është e papranueshme që qytetarët të jetojnë në këto kushte dhe të mos ketë reagim nga organet kompetente”, thuhet më tej në ankesë”
Banorët kërkojnë që ky problem të marrë vëmendjen e duhur dhe institucionet të veprojnë sa më shpejt për sanimin e gjendjes në lagjen Bair të Mitrovicës.
https://www.facebook.com/

