Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se gjatë kohës sa ka udhëhequr KQZ-në janë evidentuar sfida të mëdha të sigurisë, veçanërisht në veri të vendit, ku sipas saj zgjedhjet nuk kanë qenë gjithmonë të mirëfillta.
Ajo në Forumin 2026 të organizuar nga Instituti Octopus me temë: Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj, përmendi zgjedhjet e vitit 2013 si një nga proceset më të mira të mbajtura në atë zonë, por theksoi se edhe atëherë kishte pasur incidente, përfshirë trazira, gjuajtje dhe një rast fatal me vdekjen e një komisioneri.
Daka tha se në proceset zgjedhore ka pasur ndërhyrje të ndryshme, edhe nga Serbia, si dhe presione ndaj kandidatëve që nuk kanë qenë pjesë e Listës Serbe.
Sipas saj, disa kandidatë janë shantazhuar, dhunuar ose janë tërhequr nga gara në momentet e fundit.
Ajo shtoi se ka pasur edhe ndërhyrje në sistemin e sigurisë dhe në transmetimin e rezultateve, duke përmendur sulme të mundshme kibernetike nga grupe që dyshohet se kanë lidhje me Rusinë, përfshirë edhe në zgjedhjet e vitit 2025.
“Ka pasur ndërhyrje edhe në sistemin e sigurisë përfshi edhe në sistemin e transmetimit të rezultateve. Përmes sulmeve kibernetike, nga grupe që dyshohet nga Rusia. Kjo me sa duket ka ndodh në vitin 2025. Sistemi i transmetimit të rezultateve ka ra dhe është thënë se ka pasur sulm kibernetik”, ka deklaruar ajo në konferencën e Institutit Octopus.
Daka theksoi se KQZ ka bashkëpunuar vazhdimisht me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) për çështjet e sigurisë, sidomos në zonat problematike siç ishte veriu i Kosovës.
Sipas saj, në rreth 90 për qind të rasteve ndërhyrjet në procesin zgjedhor kanë ardhur nga Serbia, qoftë përmes mekanizmave legalë apo edhe atyre ilegalë.

