Një person i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë është dërguar në mbajtje, pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia e Kosovës.
I dyshuari, me inicialet A.P., shtetas i Kosovës, ishte në kërkim nga organet e rendit lidhur me këtë rast.
Policia njoftoi se njësiti i hetimeve të përgjithshme ka siguruar prezencën e të dyshuarit, ndërsa pas procedurave policore dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në qendrën e mbajtjes. Hetimet për rastin e vrasjes po vazhdojnë.
Njoftimi i plotë:
Dërgohet në mbajtje një person i kërkuar për vrasje
Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, është siguruar prezenca e personit të dyshuar:
– A.P, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës.
I dyshuari ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për rastin e vrasjes që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.
Pas përfundimit të procedutave të nevojshme policore, i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

