Vjosa Osmani: Kur gratë dhe vajzat udhëheqin, shkruhet historia

by Nexhat

Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Rajonale “Imazhi dhe lidershipi politik i grave shqiptare: vlera, identiteti dhe perspektiva evropiane”, e organizuar në Prishtinë nga Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake të Shqipërisë, në bashkëpunim me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama dhe komunën e Prishtinës.

Në një nga adresimet, Osmani vendosi theksin te roli historik dhe politik i grave shqiptare në periudhat më të rëndësishme të kombit, duke deklaruar se lidershipi i grave nuk është vetëm çështje përfaqësimi, por forcë që ka ndikuar drejtpërdrejt në mbijetesën, lirinë dhe ndërtimin demokratik të shoqërisë.

“Kur gratë dhe vajzat udhëheqin e veprojnë me guxim, ato shkruajnë historinë aty ku ajo fitohet: në fushëbetejë,” u shpreh Osmani para pjesëmarrësve.

banner

Ajo tha se gratë shqiptare kanë qenë historikisht pjesë e çdo etape vendimtare të kombit, nga rezistenca dhe mbijetesa në kohë lufte, deri te ndërtimi i institucioneve dhe avancimi i proceseve demokratike dhe euro-atlantike.

Në fjalimin e saj, Osmani foli edhe për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen gratë në jetën publike dhe politike, duke theksuar se demokracia nuk mund të konsiderohet e plotë pa pjesëmarrje të barabartë dhe dinjitoze të grave në vendimmarrje.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën për krijimin e një kulture politike të bazuar në integritet, respekt dhe mundësi të barabarta, duke paralajmëruar për rreziqet që paraqesin gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe sulmet ndaj grave në hapësirën publike dhe digjitale.

Në kuadër të konferencës u prezantua edhe “Deklarata e Prishtinës 2026”, dokument që synon fuqizimin e grave në politikë dhe qeverisje, rritjen e bashkëpunimit institucional dhe mbështetjen e lidershipit të grave në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Konferenca mblodhi përfaqësuese politike, diplomate, aktiviste dhe përfaqësues institucionalë nga Kosova, Shqipëria, rajoni dhe diaspora shqiptare, me fokus te roli i grave në politikë, qeverisje, ekonomi dhe proceset integruese evropiane.

Pjesëmarrja e Osmanit në këtë aktivitet vjen në një periudhë të diskutimeve politike për zhvillimet e ardhshme institucionale në vend, ndërsa emri i saj vazhdon të përmendet si një nga figurat kryesore në skenën politike të Kosovës. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy