Një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Njësitit për Luftimin e Narkotikëve ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike, të cilat dyshohet se ishin dërguar nga jashtë vendit përmes shërbimeve postare.
Gjatë operacionit të realizuar sot, autoritetet kanë konfiskuar 60 doza LSD, 10 tableta Acetamil, 2 gramë Crystal Meth dhe 25 tableta ekstazi.
Lidhur me rastin është arrestuar një person, i dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve, ka zhvilluar sot një aksion të suksesshëm, gjatë të cilit janë sekuestruar lloje të ndryshme të substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

