Ai ishte më i miri prej nesh. Më punëtori. Më i guximshmi. Quhej Rexhë Gjonbalaj dhe shërbente si profesor i matematikës në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Sot rrallë e kujtojmë. Kemi përgatitur një dokumentar për të, por s’i kemi dalë hakut as afër asaj që meriton. Për së gjalli jo se jo.
Kur Jugosllavisë ia vuri flakën nacionalizmi serb, dukej se shqiptarët më nuk kishin vend në institucione. As në ato arsimore. U zhvendosëm në shtëpi private. Mungonin kushtet elementare. Profesori i matematikës, Rexhë Gjonbalaj, donte të ishte i prerë dhe i saktë, si gjithmonë. Thoshte se matematika do shembuj konkretë dhe zhvillim ekuacionesh para nxënësve. Për të qenë në krye të detyrës, në mungesë të dërrasave të zeza – tabelave – ai e përgatiti një vetë. E bartte mbi supe nga një lokacion në tjetrin, kudo që mbante orë në shtëpi private. Ishte pamje surreale.
Midis kolektivit të mësimdhënësve njihej për ashpërsinë e tij kur bëhej fjalë për të drejtat e shqiptarëve. Në të vërtetë, s’e njihte frikën. Ashtu reflektonte edhe me tabelë mbi supe, pasi me atë pamje krejt “milicia” e atëhershme e vërente lehtë se po shkonte në “mësim ilegal”.
Padyshim, histori të tilla te mësimdhënësit e viteve ’90 ka shumë; secili ka rrëfimin e tij. Por shteti i Kosovës deri vonë s’ua vari fare. Mbi të gjitha, s’e njihte fare atë periudhë si vend pune kur llogaritej pensioni. Çfarë mesazhi ishte ky? Se më mirë kanë bërë ata që kanë punuar me sistemin, duke mbajtur mësim në gjuhën serbe dhe duke nënshkruar se pranojnë masat e dhunshme…?
Nesje, s’dua të hyj andej. Jam njeri që e dua pajtimin dhe luftoj për bashkimin e shqiptarëve.
Por, sjellja që ka bërë shteti me mësimdhënësit e asaj periudhe, që mbajtën gjallë arsimin, është e patolerueshme. Flet fort për mendësinë që shteti ka për arsimin. Në vitet e fundit është bërë një përparim në raporrt me këta mësimdhënës, por jo sa duhet. Vlera e mësuesve dhe profesorëve kërkon tjetër angazhim, aso që shkon në shkallë frymëzimi për të rinjtë që duan të zhvillojnë karrierë me ditar në dorë.
Sot mësimdhënësit na duhen gati sikurse në vitet ’90. Shkollat po boshatisen nga migrimi, e nxënësit që mbesin duhet të marrin mësim të nivelit të lartë. Për këtë duhet investim në mësimdhënës. Investim në të gjitha format.
Do të mundohem të jem zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç kam qenë deri më sot gjithnjë e gjithkund. Duke lënë anash modestinë, ju them se numri im, 105 në listën e LDK-së, është numri për të çuar përpara arsimin bashkë me mësimdhënësit si bartësit kryesorë të këtij procesi. Mësimdhënësit siç ishte Rexhë Gjonbalaj

