Pas Shkupit dhe Tiranës, edhe Prishtina do të jetë qendër e protestave në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut.
Kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup kanë ardhur pas refuzimit të autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
Parlamenti Studentor i Kosovës ka njoftuar se do të protestojnë edhe në Prishtinë në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Protesta do të mbahet të premten nga ora 14:00 dhe do të nisë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
“Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne.”, thuhet në njoftim.

