Tabela me emrin e Zoran Gjingjiqit, e cila u vendos dje në veri të Mitrovicës pranë tabelës me emrin Isa Boletini, është zhvendosur këtë mëngjes nga vendi i saj në rrethrrotullimin në hyrje të qytetit.
Tabelat me emrat e rinj të rrugëve u vendosën dje nga ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
Ndërsa sot, siç raporton media lokale në gjuhën serbe “Kossev”, tabela me emrin e ish-kryeministrit të Serbisë nuk gjendet aty ku ishte vendosur një ditë më parë.
Nuk dihet se kush e ka hequr tabelën, por për vendosjen e saj ka pasur reagime të shumta në Kosovë, duke kundërshtuar një veprim të tillë.
Klan Kosova ka tentuar të marrë një qëndrim nga ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, por deri më tash ajo nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara. /Klankosova

