Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, më herët e ka akuzuar kryetarin e IRDK-së, Elbert Krasniqi, njëherësh ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, se ka bërë presion te qytetarët e këtij komuniteti për procesin e sotëm zgjedhor.
Pas këtyre akuzave, Policia e Kosovës e ka trajtuar rastin dhe në bashkëpunim me prokurorin kanë intervistuar sot Krasniqin në stacionin policor në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Policia e ka trajtuar rastin, hetuesit rajonalë bashkë me prokurorin e kanë trajtuar rastin dhe e kanë ftuar palën tjetër. E kanë intervistuar dhe prokurori ka vendosur që nuk ka elemente të veprës penale. Rasti ka mbetur me shënim zyrtar. Rasti do të vazhdojë të hetohet”.
Berisha publikoi edhe pamje në Facebook në të cilat pretendon se shihet ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, truproja i tij, Visar Vokshi dhe kryetari i degës së IRDK-së, Avdyl Berisha, në fshatin Brestovik të Komunës së Pejës, në një zonë të banuar nga komuniteti egjiptian, duke bërë presion.
“Sipas informacioneve dhe dyshimeve të ngritura, të njëjtit janë parë që nga ora 07:30 e mëngjesit në këtë fshat, duke përdorur edhe veturë zyrtare. Ekzistojnë dyshime se prania dhe veprimet e tyre mund të kenë ndikuar në procesin e rregullt zgjedhor, përmes presionit, ndikimit apo tentativës për të devijuar vullnetin e lirë të qytetarëve.”, ka shkruar Berisha.

