Lirohen nga paraburgimi drejtorët e institucioneve serbe në Kosovë

by Nexhat

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka hequr masën e paraburgimit njëmujor drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, të cilët Prokuroria i ngarkon me veprën e ndikimit në vullnetin e lirë të votuesve.

Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.

banner

“Ata do të mbrohen në liri”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) avokatja e njërit prej të dyshuarve, Jovana Fillipoviq.

Gjykata fillimisht ua kishte caktuar masën e paraburgimit më 21 maj, me arsyetimin se ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lirohen, mund t’i shmangen përgjegjësisë penale ose ta përsërisin veprën penale.

Arrestimi i drejtorëve të institucioneve serbe në Kosovë erdhi pasi lideri i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, e akuzoi Listën Serbe se po ushtron presion dhe po shantazhin mbështetësit e tij.

Ai pohoi se rreth 20 persona që e mbështesin janë pushuar nga puna nga këto institucione serbe dhe se në periudhën e ardhshme, rreth 40 persona të tjerë pritet të marrin një vendim për shkarkimin e tyre vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

Ndalimi i paraburgimit u urdhërua për Lubisha Karaxhiq, drejtor i shkollës fillore “Milladin Mitiq” në Lllapna Sellë; Boban Petroviq, drejtor i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Sushicë; Millica Dimiq, drejtoreshë e shkollës fillore “Braqa Aksiq” në Lipjan; Nebojsha Rashiq, drejtor i Shkollës së Mesme të Makinerisë në Preoc; Bratisllav Llaziq, drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Graçanicë; Mirjana Dimitrijeviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë; Sasha Mlladenoviq, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gushtericën e Ulët.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka publikuar gjithashtu rrëfimet e disa personave, të cilët thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit. Ata kishin qenë të punësuar për disa dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit kontrollohen kryesisht nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Nga ana tjetër, Lista Serbe i ka mohuar këto akuza, duke thënë se bëhet fjalë për “përndjekje dhe frikësim”.

Ndërkohë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se misioni i tij për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron këtë rast në terren dhe se pret një “proces të drejtë ligjor gjatë gjithë procedurës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare”.

Autoritetet e Kosovës e kanë mirëpritur reagimin e Prokurorisë së Kosovës, ndërsa zyrtarët e Serbia kanë vlerësuar se arrestimet kanë qenë të motivuara politikisht

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy