Kandidaja për deputete Janina Ymeri në EURO n’T7 ka ngritur edhe një alarm tjetër, të pathënë deri më sot, e që lidhet me varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.
Ajo ka thënë se Kosova është duke u furnizuar me energji elektrike edhe nga një central i cili është financuar nga Banka Zhvillimore e Kinës dhe që, sipas saj, është i lidhur me “mafian” energjetike të Vuk Hamoviqit.
“Centrali me linjit në Stanari, që e ka EFT-ja e Vuk Hamoviqit në Republikën Serbe të Bosnjës, është financuar nga Banka Zhvillimore Kineze me 350 milionë euro. Aty është ndërtuar edhe një bazë solare me kapacitet prej 60 megavat-orë energji elektrike. Tani problemi është se, kur neve na duhet energji elektrike, i vetmi vend që mund të na i mbulojë mungesat tona energjetike është Bosnja dhe Hercegovina dhe Greqia, e që kjo e fundit veç është duke shkuar në drejtim të gazit amerikan. De facto është rrenë se ne e marrim energjinë elektrike pak nga Maqedonia e Veriut e pak nga Mali i Zi dhe se nuk jemi në ndikim të mafisë energjetike e të lojtarëve të mëdhenj. E shikova edhe këto ditë të fundit se nga po importojmë dhe e ke një herë apo dy herë në ditë EFT-në e Vuk Hamoviqit, e ke pastaj GEN-in e Serbisë, pra janë në lojë lojtarët e mëdhenj. Dhe çdo ditë që e shtyjmë projektin e gazit amerikan kemi me qenë pre e këtyre njerëzve, e që vijnë pastaj kinezët, japin normë preferenciale të interesit, ndërtojnë gjithë termocentralin dhe në fund ne përfundojmë duke i paguar ata për import të energjisë elektrike”, ka thënë deputetja Ymeri.
Ymeri ka shtuar se Kosova jo vetëm deklarativisht, siç bën qeveria, por duhet të largohet nga ndikimi rus e kinez dhe t’i thotë po projektit të gazit amerikan për ta hequr varësinë nga importi dhe nga “mafia energjetike”.

