Procesi i rinumërimit të votave në një pjesë të vendvotimeve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit ka nisur të enjten në mëngjes, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 16:00 janë rinumëruar 102 nga gjithsej 185 vendvotime të përfshira në këtë proces verifikimi.
Sipas KQZ-së, rinumërimi po zhvillohet në përputhje me vendimin e institucionit dhe përfshin fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Zgjedhjeve.
“Nga fillimi i këtij procesi, të enjten në mëngjes dhe deri më tani (e enjte, 18 qershor, ora 16:00), janë rinumëruar 102 vendvotime nga 185 sosh”, thuhet në njoftimin e KQZ-së transmeton Klankosova.tv.
Institucioni zgjedhor ka sqaruar se numri i vendvotimeve që do t’i nënshtrohen rinumërimit përbën 7.41 për qind të totalit prej 2 mijë e 498 vendvotimeve të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor.
“Sipas vendimit të KQZ-së, do të rinumërohen fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Zgjedhjeve. Ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026”, thekson njoftimi.
Numri më i madh i vendvotimeve për rinumërim është në Prishtinë me 18 vendvotime, pasuar nga Prizreni me 16, ndërsa nga 10 vendvotime do të rinumërohen në Gjakovë dhe Ferizaj. Procesi përfshin gjithashtu vendvotime në komunat e tjera të vendit, përfshirë Pejën, Gjilanin, Podujevën, Mitrovicën e Jugut, Suharekën dhe Vushtrrinë.
KQZ ka bërë të ditur se vendimi mbështetet në dispozitat e Rregullores Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, e cila i jep kompetencë institucionit që, pas pranimit të materialeve zgjedhore, të urdhërojë rinumërim në rast nevoje.
“Pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë për rinumërim”, thuhet në rregulloren e cituar nga institucioni.
Sipas KQZ-së, kjo masë është ndërmarrë si mekanizëm shtesë kontrolli pas problemeve që ishin evidentuar gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.
“Kjo masë kontrolli është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Procesi i rinumërimit pritet të vazhdojë deri në përfundimin e verifikimit të të gjitha 185 vendvotimeve të përfshira në vendimin e KQZ-së.

