Aplikacioni “Lajmëro Policinë” po vazhdon të përdoret gjithnjë e më shumë nga qytetarët për raportimin e rasteve të ndryshme te Policia e Kosovës.
Nga Policia e Kosovës kanë vlerësuar se numri i madh i raportimeve dëshmon besimin në rritje të qytetarëve ndaj këtij institucioni të sigurisë dhe mekanizmave të raportimit.
Në një intervistë për “Zërin”, drejtori i Policisë në regjionin e Prishtinës, Basri Shabani, shpjegoi se aplikacioni është ndërtuar për t’u ofruar qytetarëve mundësinë që të përcjellin informacione në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe me konfidencialitet të garantuar.
“Aplikacioni ‘Lajmëro Policinë’ është një platformë elektronike, e cila i mundëson qytetarit ofrimin e informacionit për Policinë e Kosovës, varësisht prej informacionit. Aplikacioni ofron konfidencialitet të plotë. Qytetari mund të zgjedhë nëse do të mbetet anonim ose të japë të dhënat e tij personale, të cilat po ashtu mbesin konfidenciale në Policinë e Kosovës. Për këtë sigurojmë qytetarët”, tha Shabani.
Ai theksoi se gjatë këtij viti është shënuar një rritje e jashtëzakonshme e numrit të informacioneve të pranuara përmes aplikacionit.
“Nëse e krahasojmë periudhën e vitit të kaluar me vitin 2026, dallimi është i madh. Në vitin 2025 kemi pasur, nga janari deri në qershor, 1.335 informacione, ndërsa në vitin 2026, në të njëjtën periudhë, kemi rreth 26 mijë informacione”, deklaroi ai.
Sipas Shabanit, qytetarët po e shfrytëzojnë aplikacionin për të raportuar raste të ndryshme, nga kundërvajtjet e deri te veprat më të rënda penale.
“Qytetari ka mundësi të denoncojë secilin rast, duke filluar nga kundërvajtja deri tek ato penale. Kryesisht numri më i madh i raportimeve është për kundërvajtjet në komunikacion, bllokimin e garazheve, trotuareve dhe rrugëve. Po ashtu kemi informacione për posedim të narkotikëve, armëve, por qytetarët na ndihmojnë edhe në identifikimin e personave të kërkuar për vepra të ndryshme penale”, tha ai.
Duke folur për mënyrën e trajtimit të informacioneve, Shabani bëri të ditur se çdo raportim kalon nëpër procedura të caktuara para se të trajtohet nga njësitë kompetente.
“Informacioni pranohet në ‘Alfa kontroll’, pastaj dërgohet në stacionin përkatës. Qytetari ka mundësi të shohë raportimin e tij deri në zgjidhjen e rastit”, u shpreh ai.
Ai shpjegoi se në disa raste Policia mund të veprojë edhe pa dalë në terren.
“Në rastet kur kemi informacione për kundërvajtje në komunikacion rrugor, Policia ka mundësinë që përmes targës ta shqiptojë gjobën edhe nga zyra dhe përmes postës ta dërgojë gjobën te kundërvajtësi. Por ka raste kur duhet të dërgohet edhe njësia në terren”, tha Shabani për Zeri.info.
Sipas tij, shumica dërrmuese e raportimeve rezultojnë të dobishme për Policinë.
“Ka raste shumë të vogla kur kemi marrë informacione jo të sakta. Në shumicën e rasteve, kur qytetari raporton, identifikohet personi dhe merren masat përkatëse”, theksoi ai.
Shabani e lidhi rritjen e numrit të raportimeve me besimin e shtuar të qytetarëve dhe me zgjerimin e qasjes në aplikacion.
“Ngritja e numrit të informacioneve për neve do të thotë shumë, sepse kjo tregon rritjen e besimit te ne. Te ngritja e informacioneve ka ndikuar edhe fakti që tashmë aplikacioni është i mundur jo vetëm në pajisjet Android, por edhe në ato iOS”, deklaroi ai.
Ai tha se përmes aplikacionit janë raportuar edhe raste shumë serioze, të cilat kanë ndihmuar Policinë në punën e saj.
“Përmes aplikacionit, qytetarët kanë raportuar dhe informuar për të dyshuar për vrasje, tentim vrasje, narkotikë dhe raste të tjera. Ne nuk e neglizhojmë asnjë informacion, sepse për neve çdo informacion është i rëndësishëm”, tha Shabani.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.
“Të shkarkojnë aplikacionin dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës. Çdo informacion që vjen nga qytetarët mund të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe në parandalimin e veprave të ndryshme penale”, përfundoi ai.

