Presidentja e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Zuliana Lainez ka dërguar mesazh mbështetje për gazetarët dhe mediat në Kosovë që kanë qenë subjekt i gjobave nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
Ajo, në mesazhin e publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se në demokraci nuk mund të ketë censurë ndaj mediave kritike.
“Dua të konfirmoj mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për gazetarët në Kosovë dhe për organizatën tonë anëtare. Për ne, asnjë lloj rregullimi nuk duhet të cenojë rendin juridik ndërkombëtar, respektimin e lirisë së shtypit dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj mediave që janë kritike, sepse kjo është një formë censure. Demokracia ka nevojë për gazetari të lirë. Solidaritet me kolegët tanë”, tha Lanez.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve përfaqëson rreth 600,000 profesionistë të medias nga 187 sindikata dhe shoqata në më shumë se 140 vende të botës
Gjatë një mbledhjeje të para disa ditëve, Komisioni i Pavarur i Mediave ka shqiptuar gjoba ndaj disa mediave lidhur me raportimin gjatë zgjedhjeve të shkurtit 2025.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha ka thënë se KPM-ja kështu “synon t’i disiplinojë mediat dhe ta dirigjojë politikat redaktoriale të tyre, e që është goditje e papranueshme për lirinë e medias dhe të shprehjes në Kosovë”,
Ai ka thënë se ky është “vërtetim i kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje”

