Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Muhamet Hamiti, në vazhdën e kërkesave për dorëheqje të Lumir Abdixhikut nga kreu i partisë, ka kërkuar zgjedhje të brendshme në LDK që nxjerr lidhership të ri.
Ai vuri në pah se LDK kishte fituar në zgjedhje derisa në krye të saj ishte ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe tha se me kryetarët e tjerë që ishin, LDK ishte në vend të dytë, ndërsa shtoi se qe nga 2021-a kur në krye të saj u vu Lumir Abdixhiku, LDK në të gjitha garat zgjedhore doli e treta.
“Për herë të fundit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka fituar zgjedhjet nacionale në Kosovë në vitin e largët 2004, siç i kishte fituar të gjitha zgjedhjet paraprake nën drejtimin e liderit historik të LDK-së dhe të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në janar të vitit 2006. Nën drejtimin e tre kryetarëve të LDK-së mbas Rugovës, Fatmir Sejdiut, Isa Mustafës dhe Lumir Abdixhikut, LDK-ja ka dalë e dyta, në kohët e fundit e treta. Prej vitit 2021, në katër palë zgjedhje, ka dalë e treta. Ky është rezultat katastrofal për partinë e Ibrahim Rugovës”.

