Përfundon afati – Dorëzohen 5 ankesa ndaj rezultateve të shpallura nga KQZ

by Nexhat

Ka përfunduar afati për paraqitjen e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas të dhënave të publikuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjithsej janë dorëzuar pesë ankesa nga subjektet politike.

banner

Ankesa kanë paraqitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – dy ankesa, Lista Serbe – një ankesë dhe Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka – NDS) – dy ankesa.

Dy ankesat e PDK-së kanë të bëjnë me pretendimet për mungesë votash, ndërsa Lista Serbe dhe Partia e Re Demokratike kanë kundërshtuar parregullsi që lidhen me fletëvotimet.

Lidhur me këtë proces, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se institucioni nuk do të komentojë ankesat derisa ato janë në shqyrtim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor. Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme”, deklaroi Elezi.

Ai bëri të ditur se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pas përfundimit të procedurave ankimore dhe vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse.

“Pasi ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy