Vetëm dy ditë pasi në rrjetet sociale dhe mediat serbe qarkulluan pamje që tregonin praninë e Milan Radoiçiqit në tubimin e organizuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq në Beograd, më 27 qershor, vetë kreu i shtetit serb ka dalë publikisht në mbrojtje të tij.
Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, u përmend nga gazetarët gjatë një konference për media, ku Vuçiq u pyet për pretendimet se dy pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë serbe po angazhohen si truproja të tij dhe të Zvonko Veselinoviqit.
Vuçiq tha se nuk ka informacione për këto pretendime, por njëkohësisht minimizoi arsyet e kërkimit ndërkombëtar ndaj Radoiçiqit.
“Nuk kam asnjë informacion për këtë. Radoiçiq është në listën e kuqe të Interpolit jo për shkak të kriminalitetit, por për shkak të Kosovës”, deklaroi ai raporton Danas,
Ai shtoi se “dikush e ndjek atë për shkak të Kosovës, e jo për atë që ju po thoni”, duke lënë të kuptohet se procedurat ndaj Radoiçiqit kanë motiv politik dhe jo penal.
Megjithatë, Radoiçiq në aktivitetin e thirrur nga vet Vuçiq ishte duke u siguruar nga pjesëtarët e xhandarmërisë serbe.
I pyetur edhe për Zvonko Veselinoviqin, Vuçiq shmangu komentet për të kaluarën e tij, duke pyetur: “Për çfarë ndiqet Veselinoviqi?”, ndërsa theksoi se pjesëtarët aktivë të Xhandarmërisë nuk duhet të punojnë njëkohësisht edhe si sigurim privat.
“Nëse më pyesni nëse pjesëtarët aktivë të Xhandarmërisë mund të punojnë në dy vende pune, do të përpiqem që kjo të mos ndodhë. Nuk mund të ushtrosh dy profesione njëkohësisht”, tha ai

