Ekipi i Kërkim-Shpëtimit në ujëra i Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i bashkohet operacionit për gjetjen e personit të zhdukur në Liqenin e Batllavës.
Këtë e ka konfirmuar Vëllazërim Qerimi nga FSK-ja i cili theksoi se, pas pranimit të informacionit nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës, ekipi i kërkim-shpëtimit do të nisë operacionin për lokalizimin e personit të raportuar të zhdukur. Qerimi, për KlanKosova, bëri të ditur se operacioni do të zhvillohet në koordinim me institucionet e tjera të angazhuara në terren, të cilat tashmë kanë nisur kërkimet.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 13:00 është pranuar një informatë se një person ka hyrë në ujë dhe më pas nuk është parë të dalë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana i cili tha se menjëherë pas pranimit të njoftimit, policia ka angazhuar njësitë relevante, si dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, për të bërë lokalizimin e personit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është ende në zhvillim, ndërsa për rastin priten informacione të tjera në vazhdim.
*Fotografia e përdorur për ilustrim të tekstit është nga arkivi

