Përplasjet që nisen në LDK pas kërkesave të disa degëve për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e të parit të partisë po vazhdojnë ende. Një postim i Shkemb Manajt në ‘facebook’ është shndërruar në një hapësirë përplasjesh e gjuhe fyese,
Kryetari i Degës së LDK’së në Deçan, Jeton Mushkolaj, i ka reaguar Manajt në një postim ku ky i fundit kishte dalë në përkrahje të Abdixhikut pas kërkesave për dorëheqje.
Mushkolaj ka thënë se zakonisht nuk komenton në statuse, por shton se s’mund të qëndrojë indiferent ndaj shkrimit të Manajt. Sipas Mushkolajt, Haki Rugova sa kishte qenë gjallë nuk e kishte lejuar Manajn as që të ishte pjesë e kryesisë së Degës.
Manaj më pas i ka reaguar Mushkolajt duke ia kujtuar kontributin që ka në LDK qysh nga koha e Fadil Feratit e Haki Rugovës.
Pas kësaj, Mushkolaj i ka reaguar me gjuhë fyese duke e quajtur “tradhtar” e “të paburrë” Manajn. Kreu i Degës së Deçanit ka thënë se kishin biseduar në telefon paraprakisht dhe e kishin mbyllur diskutimin, megjithatë sipas tij Manaj i ka dalë nga fjala meqë ka reaguar përsëri në ‘facebook”.
“Shkëmb Manaj, pas komentit tim më telefonove dhe i sqaruam në telefon të gjitha, të cilat nuk dua t’i publikoj këtu në komente. E lamë me aq atë punë. Por ti reagove prapë. Që je i paburrë e kam ditur, ndërsa që je edhe tradhtar, këtë sapo e mora vesh”, ka shkruar Mushkolaj.
Manaj i ka reaguar pas këtyre fjalëve, duke i thënë se po e nxjerr përplasjen në publik.
“ti ne publik! Une ne telefon! Ky eshte kontributi juaj per ruajtjen e komunikimit normal ne parti! Zoti ta ruajt burrninë ty!”, ka shkruar Manaj.
Në këtë përplasje është përfshirë edhe Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ilir Ferati.
Ferati ka pasur edhe një porosi ndaj Mushkolajt duke i thënë “mos qo ron”, kjo pasi Mushkolaj e ka pyetur Feratin nëse është i legjitimuar për të reaguar ndaj secilit koment që bëhet.




