Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se në zgjedhjet në veri pati dalje të ulët për shkak të atmosferës së frikësimit dhe të shantazhit. Ai tha se bojkotimi i zgjedhjeve ishte nga fushatat kërcënuese të Beogradit dhe “veglave të tij kriminale”.
Ai i uroi të zgjedhurit, ndërsa tha se krah tyre do të jetë Qeveria e se ata “duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim”.
“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen. Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, shkroi Kurti në Facebook.