Situatat e paqarta politike në vend, duket se nuk kanë fund. Kosova ka hyrë në një tjetër situatë të tillë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së nga ana e Gjykatës Speciale. Përveç pakënaqësive e revoltës ndaj këtij vendimi, zhvillimet politike në të ardhmen e i ngjajnë një enigme. Si përgjigje ndaj politike e juridike ndaj Speciales, Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar ndryshim të ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Për këtë, ata kanë kërkuar edhe përkrahjen e deputetëve të partive të tjera, përfshirë atyre të Vetëvendosjes.
Madje, si një lloj konsensusi me VV’në, dje, Vlora Çitaka, ka deklaruar se PDK është e gatshme t’i tërheqë lëndët e saj nga Gjykata Kushtetuese, nëse VV’ja zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Specialen.
“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Çitaku .
Ndërsa nga ana e VV’së, paraprakisht ishte deklaruar se , do presin presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit, dhe se, propozimi i Partisë Demokratike, do të shqyrtohet me kujdes juridikisht në mënyrë që të mos ketë ndonjë pasojë të mundshme, veçanërisht kur aktgjykimi ndaj katërshes së UÇK-së do të procedohet në shkallën e Apelit.
Këtë qëndrim të VV’së, e mbrojtën edhe deputetët e kësaj partie. Një nga ta ishte Mefail Bajqinovci, ai që fillimisht shkroi se qëndrimi i VV’së është i qartë, për të vazhduar më tej në shkrimin e tij me kritika për Çitakun dhe PDK’në.
‘’Vlora Çitaku në anën tjetër menjëherë paska nisë me kushtëzim që nese e japim votën për iniciativën e tyre e tërheqim lëndën. Po në këto rrethana për bindjen time që me 17 shtator ajo lëndë do të duhej të ishte e tërhequr e vet kjo me partinë e saj do të duhej të ktheheshin në Kuvend e mos të bënin gjeste të tilla’’, ka shkruar dje Bajqinovci.
Pos tij, reagim ka pasur edhe Adnan Rrustemi. Ky e akuzoi Çitakun për kalkulime politike lidhur me Specialen, duke i kërkuar të njëjtës pak ‘’seriozitet’’.
‘‘Vlora Çitaku, nuk është bre gjithçka kalkulim politik. Të paktën çështjes së Gjykatës Speciale t’i qasemi pa kalkulime e me pak më shumë prioritet. Çka është kjo sjellje politike, njëherë thoni nuk kemi Kuvend, e çoni në Gjykatë Kushtetuese, bojkotoni kompletimin e kryesisë, pastaj i drejtoheni Kuvendit që e konsideroni antikushtetues dhe thuani i tërheqim kërkesat në Kushtetuese. Ju lutem për pak seriozitet, më shumë reflektim për gabimet fatale të shkuara nga të cilat duhet të nxirren mësime dhe të kemi strategji shtetërore të bashkërenduar për mbështetje të procesit të padrejtë në Hagë’’, shkroi dje Rrustemi.
Të ‘’paanalizuar’’ iniciativën e PDK’së e vlerësoi edhe Arbereshë Kryeziu – Hyeni e VV’së, e cila, shtoi ajo, ‘’mund të jetë e dëmshme’’.
‘’ Është tipike e atyre që shkojnë në njërin ekstrem, pastaj të lëvizin në ekstremin tjetër. Dhe kjo gjithnjë vjen në panik e sipër. Njëjtë duket edhe iniciativa e PDK-së, përveçse e paanalizuar mund të jetë edhe e dëmshme, prandaj LVV me të drejtë sot tha që:
1. Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
2. Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik. Dhe,
3. Vlerësojmë se në këtë fazë është më e rëndësishme të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në analizë të plotë juridike’’, ka shkruar Kryeziu Hyseni.
Kritika ndaj Çitakut pati edhe Artan Abrashi. I njëjti drejtuar Çitakut, tha se ajo s’është në pozitë për të vendosur kushte.
‘‘Aq shume e kane humbur racionalitetin sa njemend bejne deklarime adoleshente. Jo e kem kusht jo nuk e kem kusht. Zonja Citaku ju nuk jeni ne poziten qe te vendosni kushte, as si mbeshtetese e themelimit te Speciales e as tash kur kreret jane denuar. Eshte shume e rende nga ju te degjojme fjalen kusht ne vend te kerkimfaljes’’, ka shkruar dje Abrashi.
Ndaj këtyre deklarimeve të VV’së, ka reaguar vetë Çitaku. Nënkryetarja e PDK’së, tha mes tjerash se, ‘’kalkulime’’ po bën VV’ja, dhe se, tani s’është koha për ‘’taktizime’’ por për veprim.
‘’VV,
Kalkulime po bëni ju. Po thoni se nuk do të jepni mendim për ligjin për Gjykatën Speciale dhe për ndihmën financiare pa folur Gjykata Kushtetuese. Ne po jua heqim këtë kusht. Çfarë mendoni? Seriozisht. Nuk ka asnjë kauzë më të madhe e më të rëndësishme se kjo betejë. Asgjë nuk është e barasvlershme me të. Kjo nuk është koha për taktizime. Koha është për veprim. Tash. Menjëherë. Jo për PDK-në, por për historinë. Për UÇK-në. Për çlirimtarët. Pa hezitim. Pa u ndalur. Deri në fund. Deri në liri’, ka shkruar ajo.
Lidhur me projektligjin e PDK’së për ndryshimin e ligjit të Gjykatës Speciale, dje ka folur edhe i pari i kësaj partie, Bedri Hamza. I njëjti mes tjerash ka thënë se, projektligjit përcakton se kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij.
Hamza ka theksuar edhe se, ai tashmë ka biseduar me kryetarët e tri partive subjekteve tjera politike, VV, LDK dhe Aleancës, dhe se ai është i bindur që ekziston arsye e plotë që ky Ligj ta ketë përkrahjen me votë të këtyre subjekteve politike, gjë për të cilën, Hamza iu ka bërë thirrje edhe publike që ta përkrahin në këtë iniciativë ligjore.

