Zjarret masive në jugperëndim të Francës vijojnë të jenë jashtë kontrollit, ndërsa dhjetëra mijëra persona janë evakuuar pranë qytetit të Bordeaux.
Zjarrfikësit po luftojnë me flakët që kanë përfshirë rajonin e Girondës, ku deri tani janë djegur rreth 42 mijë hektarë tokë. Sipas autoriteteve, mbi 220 mijë persona janë larguar nga zonat e rrezikuara që prej nisjes së zjarreve më 22 korrik.
Zjarri ndodhet rreth 15 kilometra nga periferitë e Bordeaux dhe autoritetet po monitorojnë me shqetësim përhapjen e tij, e ndihmuar nga bimësia e thatë dhe erërat e forta.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar mijëra zjarrfikës, ushtarakë dhe forca sigurie. Kapiteni i zjarrfikësve Nicolas Braz e përshkroi situatën si një zjarr “të çrregullt dhe të pakontrollueshëm”, që po krijon edhe vorbulla ere.
Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez deklaroi se situata mbetet “shumë e pafavorshme”, ndërsa presidenti Emmanuel Macron premtoi mbështetje për zonat e prekura.
Ndërkohë, edhe Spanja vijon të përballet me zjarre të mëdha, ku më shumë se 90 mijë persona janë evakuuar nga zonat pranë Madridit dhe Avilës.

