Shkruan: Gjon Gjokaj
Pak ditë më parë, në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë në Malësi, Zeli i Nikë Gjek’s, një malësor fisnik nga Triesh, të cilin Zoti e kishte pajisur me virtyte të larta njerëzore, të cilat i ndriçonin gjithmonë fytyrën e tij, sharmi i të cilit dukej se të qetësonte dhe të bënte për vete.
Si fëmija i parë i kësaj familje, qysh në rini këtë burrë e spikatën cilësitë më të mira të malësorit, dhe shumë shpejt do të bëhej shtylla e familjes së tij, duke qëndruar pranë babait të tij, Nikës, për të m’këmbur një familje të madhe dhe për t’u përballur me kushtet e vështira të jetesës në Luginën e Cemit.
Ndërsa nderi dhe bujaria e tij ndaj miqve dhe të afërmve e ngritën këtë shtëpi dhe e vendosën këtë malësor midis burrave me të famshëm të Malësisë, duke e bërë shtëpinë e tij qendër në Luginën e Cemit. Ndonjëherë mikpritja e tyre i tejkalonte kufijtë e mikpritjes së zakonshme tradicionale, pasi shtëpia e tyre dukej sikur ishte shndërruar në një pushimore për vizitorët e shumtë. Ky fenomen tregon se kjo derë ishte gjithmonë e hapur për miqtë dhe për çdo nevojë që trokiste në atë derë, siç thotë populli “si për bukë si për hua”. Por, ishte gjithashtu e hapur ndaj gëzimit dhe lumturisë, sepse Zeli ishte brumi i një tradite shembullore të një malësori bujar dhe humanist, që vetëm këto shkrepa mund ta prodhonin.

Zeli i përkiste trungut të shtëpisë së Gjekë Palit, të njohur në Triesh si një shtëpi me një traditë bujare malësore, ashtu siç e kishin trashëguar pasardhësit e tyre. Gjekë Pali kishte tre djem, Markun, Gjergjin dhe Nikën, të gjithë të njohur për nderë dhe burrëri në vëllazërinë e Muzheçkut. Mark Gjeka në kohën e tij ishte i njohur si një zejtar(mjeshtër) i madh, Zoti i kishte dhënë hijeshinë -sokol, i dalluar midis shokëve të tij dhe trim me za në Triesh.
Prindërit e Zefit – Nika dhe Pashka – kishin jetuar një jetë të vështirë përballë varfërisë që kishte mbërthyer këto anë, por ata kishin patur një jetë në harmoni dhe një fat të mrekullueshëm për veten e tyre, Zoti i bekoi me 9 femijë, me: 5 djem; Zefi, Nikolla Noshin, Gjeloshi dhe Kola, dhe 4 vajza: Lula, Marja, Lena (tani në amëshim), dhe Filja
Si një familje me virtyte të larta morale, por edhe për shkak të dashurisë që kishin për njëri-tjetrin, Zeli jo vetëm që krenohej me vëllezërit e tij që kishin emigruar në Amerikë (Nikolla, Noshi, Gjeloshi dhe Kola), të cilët e respektonin dhe e ndihmonin jashtëzakonisht, por ai i vizitonte shpesh Amerikën dhe kalonte momente të mrekullueshme me familjen dhe të afërmit e tij në Kaliforni, Michigan, Nju Jork dhe Çikago.
Zefi ishte nipi i një burri të njohur në Triesh – Gjon Ujka Gjurashaj nga Nikmarashi, Nana e tij, Pashka, u dallua në vëllazërinë e Muzheçkut si një grua me virtyte malësore dhe si një nanë e përkushtuar, e cila rriti në prehërin e saj nëntë fëmijë të cilët do t’shquhen për virtytet e tyre njerëzore si në Malësi ashtu edhe në diasporë.
Pavarësisht jetës së vështirë dhe punës së madhe, Zeli kaloi një jetë të lumtur në këtë botë, siç thonë malësorët, “ia pruni Zoti sic e kishte zemrën”. Ai, në rininë e tij, zgjodhi Agen, vajzën e Gjergj Marashit Dukajt, si partnere të jetës së tij, dhe ajo vetë, si një grua me virtyte malësore, kaloi një jetë të bukur me burrin e saj, të cilët patën fatin të kishin katër fëmijë, dy djem; Franin dhe Markun , dhe dy vajza Marijen dhe Marjanën, të cilët sot gëzojnë jetën me partnerët dhe fëmijët e tyre ne rehati e lumturi familjare
Gjatë vizitës sime në vendlindje disa muaj më parë, pata mundësinë ta vizitoja shtëpinë e tij, me shokun tim dhe koreografin e mirënjohur shqiptar Shtjefën Ujkaj, ku jo vetëm që na pritën ngrohtësisht (si gjithmonë në shtëpinë e tyre), por u argëtuam dhe biseduam me Zelin për shumë ngjarje të shkuara në Triesh dhe Luginë të Cemit, por ajo që më bëri përshtypje ishte respekti dhe mirësia që familja e tij tregonte ndaj të sëmurit, -zotit të shtëpisë; nga gruaja e tij Ag’ja(ndrikulla jonë), djemtë Frani dhe Marku (famujt), si dhe rejat e tij Suzi dhe Flora
Zef Nika, u largua nga familja e tij dhe kaloi në botën e amëshuar, duke i lënë atë me zemër të thyer, por edhe duke lënë pas një respekt të veçantë dhe një emër të nderuar brenda gjithë vëllazërisë Gjokaj, Muzheçkut, Trieshit, si dhe midis cemakëve me të cilët ndau kohë të mira dhe të vështira, por edhe në Malësi dhe Diasporë, ku të gjithë ata që mësuan për vdekjen e tij u prekën thellë dhe folën për humanitetin dhe bamirësinë e tij, por jo vetëm kaq, por të gjithë pohojnë se gjithmonë kishin dëgjuar fjalët më të mira dhe kurrë nuk kishin dëgjuar asnjë fjalë të pahijshme për Zelin dhe familjen e gjerë të Nikë Gjekës.
Zef Nika, sot u përcoll për në banesën e tij të fundit, i qajtun dhe i nderuar nga të gjithë familjarët dhe vëllazëria, malësorët e Malësisë dhe të gjithë ata që erdhën nga diapora për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Zelo, kushëri i dashur, do të jetosh në zemrat tona përgjithmonë, ashtu siç të njohëm – me dashuri: do të të kujtojmë, si gjithmonë, të buzëqeshur dhe me një shkëlqim në sytë e tu si një shenjtor.
Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë funeral, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta gjithë familjes së Nikë Gjekës.
Shpirti i Zef Nikës Pushoftë në Paqe në Parajsën Hyjnore
PREHU NË PAQE ZEF NIKË GJOKAJ- TI BURRË I RESPEKTUAR E I PAHARRUAR I MALËSISË

