Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, person i shpallur në kërkim nga SPAK.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, Braho deklaroi se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Beqirit dhe se ndaj palës franceze ishin dërguar letërporosi për kryerjen e disa veprimeve hetimore.
“SPAK kishte informacion dhe e kishim lokalizuar. Kishim nisur letërporosi drejt Francës për disa veprime hetimore. Për këtë do të ketë shumë shpejt një njoftim zyrtar”, u shpreh Braho.
Sipas kreut të SPAK, hetimet kanë zbuluar se Ermal Beqiri nuk disponon vetëm avionë, por edhe pasuri të tjera në Francë. Ai bëri të ditur se Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar më herët nga autoritetet franceze sekuestrimin e këtyre pasurive.
“Ne kishim kërkuar më herët nga Franca sekuestrimin e pasurive të Ermal Beqirit. Nuk ka vetëm avionë atje, ka edhe pasuri të tjera”, deklaroi Braho.
Ermal Beqiri u arrestua në Francë, teksa po fluturonte me një avion të lehtë civil mbi zonën ku ndodhet një central bërthamor në Amiens. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e autoriteteve franceze, ndërsa ndaj tij vijojnë procedurat ligjore në kuadër të hetimeve të SPAK.
Ndërkohë, lidhur me kallëzimet për çështjen “Albanian Files”, Braho tha se dy materiale kanë mbërritur në Prokurorinë e Posaçme dhe aktualisht ndodhen në fazën e verifikimit, pa dhënë detaje të mëtejshme për përmbajtjen e tyre.

