Dukagjini ka shënuar fitore minimale ndaj Vushtrrisë, me rezultat 1:0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja u zhvillua të mërkurën mbrëma në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ndërsa vendimtar ka qenë goli i kapitenit dhe qendërmbrojtësit Elton Basriu.
Basriu ka shënuar në minutën e dhjetë, kur ka realizuar me kokë nga afërsia, duke i dhënë epërsinë skuadrës klinase. Ky gol ka dalëi të jetë i vetmi në përballjen mes dy skuadrave dhe i ka mjaftuar Dukagjinit për t’i arkëtuar tri pikë të plota.
Me këtë fitore, Dukagjini vazhdon garën në pjesën e sipërme të tabelës së Superligës. Skuadra klinase, fituese e Kupës së Kosovës në edicionin e kaluar, renditet në pozitën e tretë me gjashtëmbëdhjetë pikë pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara.
Paraprakisht gjatë ditës kanë luajtur Feronikeli dhe Llapi, ndeshje e cila është mbyllur baras pa gola.
Në krye të tabelës janë Malisheva dhe Prishtina, të cilat kanë nga nëntëmbëdhjetë pikë. Malisheva i ka zhvilluar tetë ndeshje, ndërsa Prishtina shtatë

