Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka bërë thirrje publike ndaj kryesuesit Avni Deharit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mundësojnë vazhdimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Tahiri tha se VV po e pengon konstituimin e Kuvendit përmes kryesuesit, duke mos thirrur seancën, për të cilën ai thotë se është obligim ligjor.
“Kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet, ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën dhe ta thërrasë seancën”, tha deputeti në një konferencë për media,
Sipas Tahirit, kërkesa e tyre është që seanca të thirret çdo 48 orë, në mënyrë që Kuvendi të jetë funksional. Ai bëri të ditur se subjektet politike janë ftuar që nesër në orën 11:00 të jenë të pranishme në seancë.
“Aleanca është përgjigjur pozitivisht, presim që edhe të tjerat të përgjigjen pozitivisht që të jemi në seancë dhe ta konstituojmë”.
Tahiri paralajmëroi se reagimi i PDK-së do të intensifikohet nëse, siç tha ai, vazhdon pengimi i funksionalizimit të Kuvendit.
“Reagimi do të rritet vazhdimisht, sepse pushtetin autoritar nuk e lejon askush.”
Deputeti i PDK-së e cilësoi situatën si cenim të rendit kushtetues, duke theksuar se mosfunksionalizimi i Kuvendit po e dëmton funksionimin institucional të vendit

