Rrahje dhe goditje me thikë, si u vra turisti portugez në Ksamil – 11 të arrestuar, dy të dyshuar si ekzekutorë

by Nexhat

Policia ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes së turistit 20-vjeçar portugez sot në Ksamil.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç.

banner

Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja Ezgi Perlak, 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.

Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Sokrat Lipan alias Sokrat Vata 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;

Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, 38 vjeç dhe 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke

Serxhi Selimi, 24 vjeç, banues në Ersekë;

Ervis Bunci, 24 vjeç, banues në Peshkopi;

Ildi Cekani 21 vjeç, banues në Librazhd;

Murat Zhabina 27 vjeç, banues në Elbasan;

Miosid Matushaj 24 vjeç, banues në Gjirokastër;

Luciano Seferi, 44 vjeç, banues në Gjirokastër;

Romeo Shehu 35 vjeç, banues në Gjirokastër;

Kristi Koshi 29 vjeç, banues në Gjirokastër.

U shpall në kërkim shtetasi David Heurtevent 29 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezulton se:

Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurtevent, tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani, të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Luis Miguel Varela Mendes, dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit Miosid Matushaj (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), Luciano Seferi (punonjës i I. E. V. P. Fier), Romeo Shehu (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe Kristi Koshi, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

“Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë””, njofton policia./Top Channel

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy