Gjykata Themelore në Pejë i ka shpallur të pafajshëm Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, në ngjarjen e 26 nëntorit 2021.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Leon Përlaskaj, ndërsa sipas trupit gjykues, Prokuroria nuk ka arritur të provojë mjaftueshëm se tre të akuzuarit e kishin planifikuar vrasjen dhe kryer.
Zyrtarët me armë të gjata të policisë janë ende këtu në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi pak minuta më parë brenda gjykatës është dhënë vendimi për një vrasje të rëndë që ka ndodhur në fund të vitit 2021. Për 5 vjet janë mbajtur shumë seanca e janë dëgjuar shumë dëshmitarë e shumë prova dhe përfundimisht, me vendimin e gjyqtarit Leon Përlaskaj, tre personat e dyshuar për këtë ngjarje janë shpallur të pafajshëm. Babi me dy të bijtë u shpallën të pafajshëm për vrasjen e rëndë që dyshohej se e kishin planifikuar dhe e kishin ekzekutuar në natën e 26 nëntorit të vitit 2021, ku e goditën me kallashnikov autobusin që po vinte nga Gjakove në Pejë, ndërsa ndalesën me armë të gjata e kishin pasë në Gllogjan. Megjithatë, sipas trupit gjykues, asnjëri nga këta persona të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe janë gjykuar për 5 vite, nuk është fajtor për këtë ngjarje. Sipas gjyqtarit të këtij rasti, nuk është faktuar mjaftueshëm nga prokuroria që këta tre persona e kanë planifikuar vrasjen.
Pas vendimit, ka reaguar edhe prokurorja e rastit, Sahide Gashi, e cila ka paralajmëruar ankesë.
Gashi ka thënë se ky është vetëm vendimi i shkallës së parë të drejtësisë dhe se Prokuroria do ta kundërshtojë atë.
Për këtë vendim të gjykatës ka folur shkurt jashtë Gjykatës edhe Sahide Gashi, prokurorja e rastit. Ajo u pyet se si ka mundësi që një gjykim pesëvjeçar për të cilin ajo ka thënë që është e bindur që këta tre persona e kanë organizuar dhe e kanë ekzekutuar planin, të shpallen të pafajshëm. Sipas prokurores Sahide Gashi, ky është vetëm vendimi i parë i kësaj shkalle të drejtësisë, derisa e njëjta paralajmëroi që të parashtrojë ankesë edhe kundër këtij vendimi të Gjykatës Themelore të Pejës.

