UNMIK-u: Çështja e të zhdukurve s’duhet të politizohet, Prishtina dhe Beogradi të bashkëpunojnë

by Nexhat

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka bërë thirrje që përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave që ende mungojnë nga lufta në Kosovë të jenë të fokusuara te viktimat dhe familjet e tyre.

Në një komunikatë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, Due ka thënë se, pavarësisht përparimit të bërë, mbi 1 mijë e 500 persona ende mbeten të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

banner

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë”, tha Due, bëhet e ditur në një komunikatë dërguar mediave.

Sipas UNMIK-ut, më shumë se 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë. Zbulimi i fundit i mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet se u përkasin së paku 23 individëve, sipas UNMIK-ut, tregon se edhe pas dekadash përgjigjet për fatin e të zhdukurve mund të gjenden.

Due shprehu solidaritet me familjet që prej vitesh presin informacione për të afërmit e tyre dhe theksoi nevojën që të drejtat dhe nevojat e tyre të mbeten në qendër të përpjekjeve.

“UNMIK-u do të vazhdojë përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe formave të tjera të mbështetjes për këto familje”, tha ai.

Shefi i UNMIK-ut bëri gjithashtu thirrje për zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së mbi personat e zhdukur, vazhdimin e punës përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), si dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Kjo ditë shënon edhe 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.

UNMIK-u ka përsëritur se do të vazhdojë të mbështesë familjet e personave të zhdukur në përpjekjet e tyre për të realizuar të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy