Gazetari Berat Buzhala ka shprehur rezerva të forta ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, duke vënë në pikëpyetje largimin e tij nga Gjykata Kushtetuese, një kontratë për arbitrazh me vlerë rreth 100 mijë euro dhe paanshmërinë e tij politike.
Në “Rubikon” në Klan Kosova, Buzhala tha se Sejdiu nuk mund të konsiderohet figurë unifikuese, ndërsa e akuzoi se ka përfituar nga pushteti aktual.
E para, një person si zotri Sejdiu, i cili ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, e ka ndërprerë në gjysmë mandatin pa arsye të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është detyra më e lartë në Republikën e Kosovës. Ata rrëzojnë presidenta, rrëzojnë kryeministra, shpallin zgjedhje. Pa arsye, pa pretekst, në gjysmë të mandatit e ka braktisë. Ku ka pozitë më të lartë se pozita e gjyqtarit? Domethënë, çka je kanë tu bo në ndërkohë kur e la qat punë? A, paske shku me marrë tendera te Donika Gërvalla.
Ndërkaq, opinionistja Meliza Haradinaj i kundërshtoi pretendimet e Buzhalës, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë marrë në mënyrë kolegjiale dhe se integriteti i Sejdiut duhet të vlerësohet mbi vendimet dhe qëndrimet e tij profesionale.
Debati u përqendrua edhe te mundësia që zgjedhja e presidentit të bëhet pas afatit kushtetues 30-ditor dhe te rreziku që kjo çështje të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

