Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se kanë zgjeruar hetimet lidhur me aksionin e zhvilluar në janar të këtij viti bashkë me Policinë e Kosovës për hetimin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
“Në kuadër të veprimeve të ndërmarra gjatë hetimit, më datë 01.09.2026, Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet ndaj njëzet e një (21) personave të pandehur, punëtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nën dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”, nga neni 330 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke e quar në 69 numrin e të pandehurve, në këtë çështje penale”, tha Prokuroria në njoftim.
Nga veprimet e deritanishme hetimore ekziston dyshimi se këta të pandehur, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlera që variojnë nga 2,000 euro deri në 53, 000 euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Prokuroria tha se të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë, nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Zëvendëskryeprokurorin, si dhe një prokuror nga Prokuroria Themelore në Prizren.
“Prokuroria Themelore në Prizren, krahas hetimit penal, ka zhvilluar në mënyrë paralele edhe hetimin financiar me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiar të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit, gjurmimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e realizuara nga aktiviteti i kundërligjshëm”.
Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore dhe financiare, sot janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, duke përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Prokuroria tha se në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjences Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.
“Me veprimet e identifikuara në fazën fillestare të hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në vlerë rreth 1,043,000 euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, është evidentuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro”.
Prokuroria Themelore në Prizren u zotua se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët do të vërtetohet përgjegjësia penale.
“Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, si dhe në mbrojtjen e pasurisë dhe interesit publik, duke respektuar në çdo fazë të procedurës të drejtat e të pandehurve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë”.

