Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se në parim vota e saj do të jetë për të nominuarin për President, Bekim Sejdiu.
Ajo përmendi që Sejdiu është në fushën e saj dhe tha se e njeh edhe në aspektin profesional, por Kica-Xhelili tha se duhet parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar nëse do të ketë unanimitet politik për këtë çështje.
“I përmbush të gjitha kushtet. Tani nëse do të arrijmë ta arrijmë një konsensus politik sepse e dini që vota duhet të jetë unanime në rastin konkret në mënyrë ne të prodhojmë një President. Kemi shkaqe ta shtyjmë përpara këtë kandidaturë. Vota ime në parim do të jetë për në rast se dakordohet edhe Grupi Parlamentar”.
Më pas, ajo tha: “E kam të vështirë të gjej arsye për të mos e votuar”.
E pyetur se si do të vepronte LDK-ja ndaj deputetëve që mund të mos e respektojnë vendimin e partisë për votën ndaj kandidatit për president, Kica-Xhelili tha se në këtë fazë nuk dëshiron të paragjykojë se dikush do të votojë kundër.
“Në këtë fazë deklarohemi për gjërat që janë krejtësisht aktuale, që është kjo. Natyrisht që çdo parti politike i ka disa rregulla të cilat jo aksidentalisht shkruhen dhe jo aksidentalisht kërkohet të zbatohen, mirëpo ekziston një trup brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila gjithmonë ulet dhe i diskuton gjërat në momentin kur ato shpërfaqen. Nuk do të doja të paragjykoja në këtë fazë që dikush do të votojë kundër. Pavarësisht mendimeve që mund të jenë shprehur ndryshe, deri në fund ne nuk mund ta dimë, sepse edhe një votë e deklaruar ‘për’ mund të ndryshojë mendim, sikurse një votë e deklaruar ‘kundër’ mund të ndryshojë mendim”, tha ajo.

