Vazhdon fushata linçuese ndaj policëve serbë të Kosovës

by informim

Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe institucioneve të Kosovës, po vazhdon fushata e linçimit ndaj policëve të rinj serbë që kanë nisur detyrën në fillim të kësaj jave.

Sërish janë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë policëve të tjerë në rrjetin social rus, Telegram.

banner

Në përshkrimin e fotografisë gjithashtu ka pasur edhe një përgjigje për reagimin ndërkombëtar ndaj kësaj fushate linçuese.

“Meqenëse të gjithë ambasadorët perëndimorë, përfshirë edhe kreun e EULEX-it, kanë reaguar sot për publikimin e 5 emrave të serbëve që kanë filluar të punojnë në të ashtuquajturën Policia e Kosovës, duke e quajtur ‘kërcënim’ që është absurd total dhe asnjëri prej tyre nuk reagon kur populli serb sulmohet, arrestohet, kidnapohet në Kosovë, po publikojmë edhe 5 emra të tjerë”, thuhet në përshkrimin e fotografisë.

Gjatë ditës së mërkurë kanë reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti të cilët e kanë quajtur të papranueshme fushatën linçuese ndaj policëve serbë, ndërkohë që është kërkuar edhe reagimi i ndërkombëtarëve.

Për këtë kanë reaguar edhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i Britanisë Nicholas Abbott të cilët kanë kërkuar që një fushatë e tillë të ndalet, duke potencuar se Policia e Kosovës duhet të ketë diversitet.

Të mërkurën janë publikuar emrat dhe fotografitë e pesë policëve të rinj serbë, derisa është paralajmëruar se edhe emrat të tjerë do të publikohen.

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar për raportimet se ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb ka nisur një fushatë linçuese nga përdorues serbë të rrjeteve sociale.

Ai e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.

Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy