Zyrtari izraelit: Është vetëm çështje kohe për një sulm të ri ndaj Iranit! Në shënjestër programi bërthamor

by Nexhat

Deklarata është bërë e ditur të enjten nga rrjeti saudit Al-Hadath.

Sipas burimit izraelit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, Izraeli ka vërejtur kohët e fundit intensifikim të përpjekjeve të Iranit për të zhvendosur dhe forcuar mbrojtjen e disa pjesëve të programit të tij bërthamor në Kuh-e Kolang Gaz La, të njohur si “Pickaxe Mountain”, pranë objekteve bërthamore të Natanzit.

banner

Aktivitet ndërtimor në “Pickaxe Mountain”
Në fillim të këtij muaji, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi se agjencia kishte konstatuar aktivitet ndërtimor në “Pickaxe Mountain”.

Bëhet fjalë për një objekt nëntokësor, të cilin shërbimet perëndimore të inteligjencës e konsiderojnë si një vend të mundshëm për ruajtjen e materialeve bërthamore.

Zyrtari izraelit deklaroi se Izraeli do të godasë sërish objektet bërthamore të Iranit nëse Teherani tejkalon ato që Izraeli i konsideron “vija të kuqe”, qoftë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, qoftë duke vepruar në mënyrë të pavarur.

Ai shtoi se Izraeli është i përgatitur për një konflikt të ri me Iranin “në çdo moment”.

“Koordinimi me SHBA-në mbetet i fortë”
Sipas të njëjtit burim, koordinimi mes Izraelit dhe Uashingtonit mbetet “i fortë dhe i vazhdueshëm”.

Megjithatë, zyrtari shprehu dyshime nëse përpjekjet e vazhdueshme diplomatike mund të çojnë në një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

SHBA-ja dhe Irani zhvilluan të martën bisedime indirekte në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Këto ishin kontaktet e para të këtij lloji që nga mesi i qershorit.

Pas bisedimeve, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ato “shkuan shumë mirë”.

Paralajmërimi për një reagim ushtarak iranian
Sipas Al-Hadath, zyrtari izraelit paralajmëroi gjithashtu se rritja e presionit ekonomik dhe përçarjet e brendshme në Iran mund ta shtyjnë Teheranin drejt një reagimi ushtarak në rajon, përfshirë edhe kundër Izraelit.

Ai pretendoi se “garancia e vërtetë për parandalimin e një Irani bërthamor qëndron te përmbysja e regjimit aktual të tij, në një mënyrë ose në një tjetër”. /Panorama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy