Kombëtarja e Kosovës U21 ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj San Marinos, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U21, “Euro 2027”.
“Dardanët” e rinj triumfuan 3-0 të enjten mbrëma, duke arkëtuar tri pikë të rëndësishme në garën për kualifikim në Evropianin që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi.
Kosova e zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të, kur Faton Ademi realizoi për 1-0 pas asistimit të Blerton Isufit.
Dyshja bashkëpunoi sërish në minutën e 59-të, me Ademin që shënoi edhe golin e dytë personal dhe të dytin për Kosovën.
Vetëm tri minuta më vonë, Laurent Xhylani realizoi për 3-0, ndërsa asistues ishte pikërisht Ademi.
Me këtë fitore, Kosova U21 shkon në kuotën e 11 pikëve dhe renditet në vendin e katërt në grup.
Spanja kryeson grupin me 21 pikë, e ndjekur nga Finlanda me 16, ndërsa Qiproja ka tri pikë. San Marino mbetet në fund të tabelës pa pikë

