Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera ilegale në dy lokacione në veri të Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, kontrollet dhe bastisjet janë zhvilluar më 27 shtator në fshatin Dren të Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, pas informacioneve të pranuara nga autoritetet.
Në Dren janë sekuestruar një armë përsëritëse M-56, dy pistoleta CZ-99 dhe CZ Mod-70, si dhe 139 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Për këtë rast është arrestuar S.V., i lindur më 1971, ndaj të cilit, me urdhër të prokurorit, është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Në rastin e dytë, gjatë bastisjes së një shtëpie të pabanuar në Shipovë, policia ka gjetur një pushkë automatike AK-47 me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë, një pushkë gjuetie M-48 me 186 fishekë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim. Për këtë rast nuk ka persona të arrestuar deri më tani. Me urdhër të prokurorit të shtetit, për të dy rastet është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Gazeta Express
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia në Veri, në dy lokacione, gjen dhe sekuestron armë, municion, uniforma ushtarake dhe mjete të tjera ilegale
Mitrovicë Veri, 27.09.2026
Më datën 27.09.2026, Policia në Veri ka pranuar informacione se në dy lokacione të ndryshme, përkatësisht në fshatin Dren të komunës së Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të komunës së Zubin Potokut, mund të gjendeshin armë dhe mjete të tjera ilegale.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe kanë realizuar kontrolle dhe bastisje në këto lokacione, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera.
Rasti I – Fshati Dren, Leposaviq
Gjatë kontrollit në një objekt të përdorur si stallë (ahur), zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar:
Një armë përsëritëse M-56, prodhim jugosllav, Crvena Zastava;
Një pistoletë CZ-99, kalibër 9 mm, prodhim jugosllav, Crvena Zastava;
Një pistoletë CZ Mod-70, kalibër 7.65 mm, prodhim jugosllav, Crvena Zastava;
Nëntëdhjetë e nëntë (99) fishekë të kalibrit 7.62 mm;
Tridhjetë (30) fishekë të kalibrit 9 mm;
Dhjetë (10) fishekë të kalibrit 7.65 mm.
Në lidhje me këtë rast, është arrestuar personi me inicialet S.V., i lindur në vitin 1971, në cilësinë e të dyshuarit.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Leposaviq, ku është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti II – Fshati Shipovë, Zubin Potok
Gjatë bastisjes së një shtëpie të pabanuar në fshatin Shipovë të komunës së Zubin Potokut, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar:
Një pushkë automatike AK-47, prodhim jugosllav, së bashku me gjashtë (6) karikatorë dhe 157 fishekë të kalibrit përkatës;
Një pushkë gjuetie M-48, prodhim jugosllav, së bashku me 186 fishekë për armë të gjatë;
Një bajonetë;
Uniforma ushtarake me emblemë serbe;
Dy (2) çanta ushtarake;
Një pajisje ushtarake për ushqim.
Në lidhje me këtë rast, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, për të dy rastet është iniciuar hetimi për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajon ata që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192.
Policia mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore me qëllim të garantimit të sigurisë dhe rendit publik.

