Kapiteni i Izraelit, Manor Solomon, reagoi ashpër pas humbjes 3-0 nga Irlanda në Ligën e Kombeve, duke e kritikuar sjelljen e kundërshtarëve gjatë ndeshjes.
Irlanda refuzoi t’ua shtrëngonte duart lojtarëve izraelitë para ndeshjes, ndërsa futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur gjatë himnit kombëtar të Izraelit.
Kapitenët Dara O’Shea dhe Solomon gjithashtu nuk shkëmbyen shtrëngime duarsh para lojës, siç e bëjnë tradicionalisht kapitenët.
Pas ndeshjes, Solomon nuk i kurseu kritikat. “Ata thanë gjëra pa kuptim gjatë ndeshjes. Nuk dua të flas për ta. Nëse them atë që mendoj për ta, ndoshta do të dënohem me disa ndeshje pezullim, ndaj nuk dua ta them”, deklaroi Solomon, shkruan “Daily Mail”, përcjell “Gazeta Express”.
“Sigurisht që na urrejnë dhe ne nuk u pëlqejmë atyre. Mezi e pres ndeshjen e ardhshme kundër tyre, sepse do të jetë krejt ndryshe”, shtoi kapiteni izraelit.
Solomon foli edhe për qëndrimin e Irlandës gjatë himnit të Izraelit. “Ajo që e bënë me himnin? Nuk më intereson. Ne e kemi një vend 10 herë më të mirë se i tyre, më të fortë, një vend fantastik me njerëz fantastikë”, u shpreh ai.
Solomon e theksoi më tej krenarinë e tij për përfaqësuesen dhe vendin e tij.
“Jemi krenarë që e veshim fanellën e kombëtares dhe që jemi izraelitë. Jemi krenarë për vendin tonë dhe për ushtarët tanë. Irlandezët mund t’i bëjnë të gjitha ‘truket’ e tyre. Ne jemi izraelitë dhe e duam vendin tonë. Kështu do të jetë gjithmonë”, tha ai.
Kapiteni izraelit i përmendi edhe ndeshjet e ardhshme, duke theksuar se Izraeli do të përballet sërish me Kosovën.
“Do të bëjmë gjithçka që ndeshja kundër Kosovës të duket krejt ndryshe. I kemi edhe katër ndeshje në këtë fushatë dhe asgjë nuk ka përfunduar. Besoj te vetja dhe te skuadra. Do të dalim nga kjo situatë dhe do të marrim hak për këtë”, përfundoi Solomon.

