Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka komentuar deklarimet e ushtruesës së detyrës së presidnetes, Albulena Haxhiu, për bashkëpunimin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së lidhur me zhvillimet pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Musliu-Shoshi ka thënë se as PDK-ja nuk po kërkon koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por bashkërendim dhe bashkëpunim për një çështje që, sipas saj, prek historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Edhe ne veç aq po dojmë. Nuk po dojmë koalicion. Po dojmë bashkërendim e bashkëpunim për një vendim të padrejtë që është marrë në Dhomat e Specializuara. E që në fakt dënon historinë tonë, sakrificën, të kaluarën dhe të ardhmen e shtetit dhe të popullit”, ka deklaruar Musliu-Shoshi në Debat Plus.
Deklarata e saj vjen pasi Albulena Haxhiu në Debat Plus tha se nuk e sheh të nevojshëm një koalicion me PDK-në, por se palët mund të ndërmarrin veprime të përbashkëta lidhur me vendimin e 16 shtatorit.

