Vizita e paralajmëruar e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Prishtinë po zhvillohet në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm politik.
Teksa vendet si Serbia mbeten anash proceseve kryesore integruese për shkak të mosrespektimit të standardeve evropiane dhe të drejtave të njeriut, shefja e KE-së zbret në Kosovë në mes të tensioneve, protestave qytetare dhe një ngërçi institucional.
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane dhe diplomatja, Mimoza Ahmetaj, në Edicionin Special në Klan Kosova, theksoi se kjo vizitë e gjen Kosovën në një udhëkryq kritik pas zhvillimeve të fundit me Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ngecjes disavjeçare në rrugën e integrimit
Sipas Ahmetajt, shefja e KE-së do të përballet drejtpërdrejt me revoltën qytetare dhe institucionale në Prishtinë, në një kohë kur po paralajmërohen protesta masive kundër vendimeve të Hagës:
Ajo mundet të mos e ketë planifikuar dhe ditur që në atë ditë do të ketë protesta, por që do të ndikohet dhe do ta sheh realitetin me syrin e vet larg raporteve të diplomatëve të cilët do të raportojnë nga Prishtina, sigurisht që po. Situata në Kosovë pas datës 16 shtator është krejt tjetër… vendimi i Gjykatës së Hagës do të jetë kafshatë e cila nuk do të kapërdihet lehtë”, tha Ahmetaj.
Diplomatja kosovare nënvizoi se në takimet e nivelit të lartë me kryeministrin Albin Kurti dhe udhëheqësit shtetërorë, Von der Leyen pritet të vendosë theksin te formimi dhe funksionalizimi i institucioneve demokratike, në një kohë kur Kosova rrezikon të izolohet nga nismat e reja integruese të Brukselit.
Ahmetaj theksoi se teksa Bashkimi Evropian po harton një udhërrëfyes të ri anëtarësimi për vende si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia, Kosova po mbetet jashtë bashkë me Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut

