Sot pritet të nis shqyrtimi gjyqësor në gjykimin ndaj Fatmir Shehollit

by Nexhat

Fatmir Sheholli, i akuzuar për spiunazh te BIA-s serbe, sot më 01.10.2026 pritet të dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Siç ka mësuar KALLXO, në pasditen e së enjtes, pritet të nis shqyrtimi gjyqësor ndaj Shehollit.

banner

Fatmir Sheholli në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.09.2026, nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që i vihen në barrë nga Prokuroria Speciale.

“E ndiej vetën të pafajshëm” – kishte thënë Sheholli para Gjykatës.

Po në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Sheholli, avokati Mentor Neziri kishte thënë se pas konsultimeve me Shehollin, kanë rënë dakord që të heqin dorë nga e drejta për kundërshtim të provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës.

Avokati kishte kërkuar nga Gjykata që të fillojë menjëherë më shqyrtim gjyqësor.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast është gjyqtari Avni Syla, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Bekim Kodraliu.

Në aktakuzëthuhet se sipas pikës së parë të aktakuzës, i pandehuri Fatmir Sheholli dyshohet se nga data e pacaktuar e deri më 09.10.2025, me dashje dhe në mënyrë direkte, në vazhdimësi, si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë “BIA” ka zbatuar urdhrat e këtij shërbimi, nën udhëheqjen e një zyrtari, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka siguruar informacione rreth aktiviteteve politike, sigurisë dhe funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe më pas këto informata i ka përcjell te zyrtari i BIA-s serbe.

Aktakuza thotë se i pandehuri Sheholli ka zbatuar në tërësi edhe një plan operativ, plan ky i përgatitur nga një zyrtar i BIA-s serbe, për të dëmtuar interesant e Republikës së Kosovës.

Ky plan ka pasur për qëllim ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur me datën 12.10.2025, ashtu që me datën 26.09.2025, i pandehuri ka udhëtuar në Mitrovicën e Veriut ku është takuar me një person të paidentifikuar nga i cili ka pranuar materiale si audio-incizime e transkripte bisedash të zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, me qëllim komprometimin e tyre.

Me këtë rast, Sheholli gjithashtu thuhet se ka pranuar edhe shumën prej 5 mijë eurove si shpërblim për kryerjen e kësaj detyre.

Duke zbatuar urdhrat e BIA-s serbe, këto materiale, më pas i pandehuri i ka dorëzuar tek gazetari Milaim Zeka, bashkë me shumën prej 1 mijë eurove. Sheholli thuhet se e ka udhëzuar gazetarin Zeka që këto materiale të publikoheshin në emisionin e tij “Pa Rrotlla” disa ditë para ditës së zgjedhjeve.

Në dosjen e Prokurorisë, në pikën dy thuhet se Sheholli kishte shantazhuar Arben Jetullahun duke e dëmtuar të njëjtin në vlerë prej 13 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, këtë vepër Sheholli dyshohet ta ketë kryer nga viti 2022 e deri në vitin 2025.

Sipas dosjes së PSRK-së, shantazhi ishte kryer ndaj Jetullahut që mos t`i publikohen disa video-incizime dhe informacione që do t`i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetet e të dëmtuarit.

PSRK në aktakuzë pretendon se këto veprime ka arritur t`i argumentoj përmes masave të veçanta hetimore.

Në këto masa të fshehta, që janë lëshuar me urdhër të gjykatës, në dosje shkruan se janë siguruar komunikime dhe porosi kërcënuese të Shehollit drejtuar të dëmtuarit.

Porositë që i ka dërguar Sheholli të dëmtuarit, Jetullahu, janë bërë derisa i njëjti ishte nën masën e paraburgimit, përmes një familjari të tij.

Në këmbim të kërcënimeve sipas dosjes së PSRK-së, shkruan se familjari i Shehollit i kishte kërkuar nga 700 euro pagë në baza mujore me paralajmërimin se në të kundërtën do të publikoheshin video-incizimet.

Sipas dosjes, 500 euro i janë dhënë familjarit të Shehollit, pas kërcënimeve dhe nga frika se do të publikohen këto video-incizime.

Fatmir Sheholli u arrestua më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh.

Më 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Më 07.11.2025, atij iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj.

Më 09.01.2026, Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Dhe më 09.03.2026, Shehollit iu vazhdua masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

Po ashtu edhe më datë 08.05.2026 të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj.

Gjykata e Prishtinës, masën e paraburgimit për dy muaj Shehollit ia vazhdoi edhe në muajin korrik 2026.

Sipas vendimeve të Gjykatës së Prishtinës, Sheholli gjendet nën masën e paraburgimit që nga tetori i vitit 2025.

Raportimet në lidhje me Fatmir Shehollin, mund ti ndiqni duke klikuar në këtë LINK.

Më 07.10.2025, Kallxo.com publikoi hulumtimin për një dosje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale kah mesi i vitit 2024, teksa përmendej edhe Fatmir Sheholli.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy