Tri komuna bëhen me kamionë të rinj për shuarjen e zjarreve

by Nexhat

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka bërë shpërndarjen dhe dorëzimin e tri automjeteve të reja zjarrfikëse për Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në komunat Lipjan, Shtime dhe Drenas.

Ceremonia solemne u mbajt sot në objektin e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në Hajvali, ku janë prezantuar automjetet e reja dhe investimi në fuqizimin e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave në nivel lokal, raporton KosovaPress.

banner

Ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shefki Abdullahu, ka thënë se ky investim lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e zjarrfikësve.

“Sot nuk po dorëzojmë vetëm automjete. Po bëjmë një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e zjarrfikësve tanë dhe fuqizimin e kapaciteteve reaguese në nivel lokal. Në kuadër të këtij investimi, Komuna e Lipjanit përfiton një automjet sulmues me kapacitet 4 000 litra ujë dhe 400 litra koncentrat shkume, në vlerë 673 mijë e 148 euro. Komunat e Shtimes dhe Drenasit përfitojnë nga një automjet furnizues, secili me kapacitet prej 6 mijë litrash ujë dhe 600 litra koncentrat shkume, me vlerë 553 mijë e 449 euro për automjet, përkatësisht 1 milion e 106 mijë e 898 euro për të dyja automjetet. Vlera e përgjithshme e këtyre tri automjeteve arrin në 1 milion 780 mijë e 046 euro”, ka deklaruar Abdullahu.

Automjeti i destinuar për Komunën e Lipjanit është i tipit sulmues, me kapacitet prej 4 mijë litrave ujë dhe 400 litrave koncentrat shkume. Ndërkaq, Shtime dhe Drenasi kanë përfituar nga një automjet furnizues, me kapacitet prej 6 mijë litrave ujë dhe 600 litrave koncentrat shkume.

Në ceremoninë e dorëzimit ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, i cili ka theksuar se reagimi ndaj emergjencave duhet të jetë prioritet institucional, pavarësisht kufijve komunalë apo përkatësive të ndryshme.

“Emergjenca nuk ka as kufij, as komuna, as etni, as përkatësi politike. Emergjencat janë prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe ne do ta rrisim vëmendjen, do t’i rrisim investimet. Edhe në të ardhmen, planifikimet buxhetore do të orientohen që kapacitetet për zjarrfikje, mbrojtje dhe shpëtim të rriten sa më shumë, në mënyrë që qytetarët tanë të ndihen edhe më të sigurt, si fizikisht, ashtu edhe që pronat e tyre të jenë të mbrojtura nga profesionistët e fushës, të cilët gjithmonë kanë treguar dhe po tregojnë se meritojnë vëmendjen dhe mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Dugolli.

Sipas të dhënave të prezantuara në ceremoni, vlera e përgjithshme e tre automjeteve të reja arrin në 1,780,046 euro. Investimi synon rritjen e kapaciteteve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit dhe përmirësimin e reagimit në rastet e zjarreve dhe emergjencave të tjera.

Automjetet e reja tashmë i janë dorëzuar njësive përkatëse në Lipjan, Shtime dhe Drenas. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy