Krejt çka dihet për gruan që i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse

by Nexhat

Një rast i paprecedentë ka ndodhur në historinë e dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Christa Pike, e dënuara me vdekje në Tennesse, mbijetoi edhe pasi iu administruan dy doza të injeksionit vdekjeprurës.

banner

Sipas Death Penalty Information Center (DPIC), rasti i Christa Pike është i pazakontë në epokën moderne të dënimit me vdekje në SHBA, pasi ajo mbeti gjallë edhe pasi iu administruan dy doza të barnave të injeksionit vdekjeprurës. Në rastet e mëparshme të përpjekjeve të dështuara për ekzekutim, procedurat ishin ndërprerë para administrimit të barnave. Pas rastit, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, pezulloi ekzekutimet për pjesën e mbetur të vitit dhe urdhëroi një rishikim gjithëpërfshirës nga një palë e tretë.

Çfarë ndodhi saktësisht dhe si është gjendja aktualisht?

Sipas BBC, e dënuara me vdekje në Tennessee, Christa Pike, ndodhet në gjendje kritike dhe po merr trajtim mjekësor për t’i shpëtuar jetën, pasi i mbijetoi dy përpjekjeve për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.

“Për momentin nuk kemi informacion të qartë për prognozën e saj dhe as ndonjë përditësim të rëndësishëm mbi gjendjen e saj shëndetësore”, u tha gazetarëve të enjten avokati i saj, Randy Spivey. “Por ajo që dimë është se ajo është gjallë.”

Avokatët e Pike po kërkojnë tani që dënimi i saj me vdekje të zëvendësohet me një dënim tjetër. Pike, 50 vjeç, u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e Colleen Slemmer.

Sipas avokatëve të saj, të mërkurën Pike iu administruan dy doza vdekjeprurëse pentobarbitali, por ajo mbeti gjallë. Më pas, ajo u transportua me ambulancë në spital.

Pike ishte 18 vjeçe kur, së bashku me të dashurin e atëhershëm, Tadaryl Shipp, rrahu, torturoi dhe vrau 19-vjeçaren Slemmer.

Përpjekja për ekzekutimin e saj të mërkurën u shoqërua me një betejë ligjore në minutat e fundit. Në fund, Gjykata Supreme e SHBA-së lejoi që injeksioni vdekjeprurës të kryhej.

Nëna e viktimës, May Martinez, e cila kishte kërkuar që ekzekutimi të realizohej dhe kishte udhëtuar në Tennessee për ta dëshmuar atë, i tha NBC News pas dështimit se “ishte një rrëmujë”.

Të enjten pasdite, avokatët e Pike dhanë më shumë detaje rreth asaj që ndodhi gjatë përpjekjes për ekzekutim, duke përshkruar një situatë tronditëse, e cila u zhvillua në fshehtësi, .

“Ekipi i ekzekutimit u përpoq për një orë të vendoste një linjë intravenoze”, tha Spivey. “Numërova të paktën shtatë gjilpëra të përdorura vetëm në krahun e saj të majtë. Njëra prej tyre dukej e përkulur kur u nxor nga krahu i saj pas një përpjekjeje të pasuksesshme.”

Spivey tha se personat që po e vëzhgonin ekzekutimin u mbajtën në një dhomë të errët, pas një perdeje të mbyllur, pasi ishte administruar doza e dytë vdekjeprurëse dhe “ishte e qartë se zonja Pike ende po merrte frymë” disa minuta më vonë.

“Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte pas asaj perdeje”, tha Spivey. “Nuk e kisha idenë nëse dhe kur profesionistët mjekësorë kishin filluar të ndërhynin.”

Spivey tha se guvernatori i shtetit duhet ta zëvendësojë tani dënimin me vdekje të Christa Pike, një kërkesë që më parë ishte refuzuar.

Një tjetër avokat i Pike, Stephen Ferrell, tha se ekipi ligjor po shqyrton edhe mundësi të tjera juridike.

“Duam ta mendojmë mirë këtë situatë dhe të sigurohemi që Christa të shërohet dhe të ketë mundësi të shprehë edhe vetë se çfarë dëshiron”, tha ai.

Guvernatori i Tennessee, Bill Lee, ka urdhëruar një hetim të pavarur dhe të enjten tha se shqyrtimi i ekzekutimit të dështuar të Pike do të jetë “i plotë”, duke shtuar se “do të marrë kohë”.

Lee nuk ka bërë të ditur se kush do ta zhvillojë hetimin e pavarur mbi procedurat e ekzekutimeve në shtet.

Sipas BBC, edhe Departamenti i Korrigjimeve i Tennessee, i cili ishte përgjegjës për ekzekutimin, nxori një deklaratë ku mbrojti mënyrën se si u administrua procedura. Sipas departamentit, ai “ndoqi çdo hap të protokollit ligjor dhe të përcaktuar të ekzekutimit të shtetit, të miratuar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm”.

“Kimikatet e injeksionit vdekjeprurës të përcaktuara në protokoll kanë qenë vazhdimisht efektive dhe protokolli nuk lejon procedura shtesë përtej atyre që u kryen këtë mbrëmje”, thuhej në deklaratë.

Vlen ta theksojmë se raportohet që ky është rasti i dytë në vitin 2026 kur autoritetet e Tennessee tentojnë të ekzekutojnë një të burgosur dhe dështojnë. Në maj, ekzekutimi i Tony Carruthers u ndërpre pasi personeli nuk arriti të gjente një venë për administrimin e ilaçit vdekjeprurës. Carruthers iu dha një shtyrje prej një viti

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy