Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj. Vendimi për shkarkimin e Isufajt është marrë me 6 vota për dhe 1 kundër, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas këtij mediumi, vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së, e cila ishte thirrur për të diskutuar lidhur me punën e Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale.
Pas shkarkimit të Isufajt, Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Mbledhja e sotme e KPK-së u zhvillua pas diskutimeve të mëhershme lidhur me punën e Prokurorisë Speciale. Në mbledhjen e 2 shtatorit, KPK-ja kishte refuzuar miratimin e raportit të punës së kësaj prokurorie për vitin 2025.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte kërkuar sot nga KPK-ja që të mos cenojë funksionalitetin e Prokurorisë Speciale, duke shprehur shqetësim lidhur me vendimmarrjen për pozitën e kryeprokurorit.
Isufaj ishte në krye të Prokurorisë Speciale, ndërsa puna e tij dhe e kësaj prokurorie ishte diskutuar edhe gjatë muajit shtator në KPK.


