Zinedine Zidane ka shprehur respektin maksimal për Cristiano Ronaldon, duke kujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të portugezit gjatë periudhës së tyre së bashku te Real Madridi.
Francezi, i cili e drejtoi Ronaldon në një prej periudhave më të suksesshme të karrierës së tij, e vlerësoi në mënyrë të veçantë ndikimin e yllit portugez në sukseset e skuadrës.
“Cristiano Ronaldo më bëri të fitoj disa trofe të jashtëzakonshëm. Prandaj… kapela për ty, Cris. Chapeau, Cristiano”, është shprehur Zidane.
Ish-trajneri i Real Madridit theksoi se karriera e Ronaldos duhet të nderohet në mënyrën e duhur, duke e cilësuar veten me fat që ka pasur mundësinë ta ketë në skuadër.
“Duhet ta përshëndesim karrierën e madhe të Cristiano Ronaldos në mënyrën e duhur. E konsideroj veten me fat që e kam pasur Cristiano-n me mua”, ka deklaruar Zidane.
Ai shtoi se ka respekt të madh për të gjithë futbollistët me të cilët ka punuar, por veçanërisht për Ronaldon.
“Kam shumë respekt për të gjithë lojtarët e mi, për të gjithë ata që kanë qenë me mua dhe veçanërisht për të, për Cristiano Ronaldon”, përfundoi francezi.

